Një shkrim nga Çlirimtari Shaban Vishaj për të madhin Qerim Këlmendi

Qerim, të njoha atëherë kur po bashkoheshin shqiptarët për ta bërë lirinë. Asaj rruge e asaj kohe ti nuk shkëlqeje sa sot pas kaq të bëmave. Lëvizja na njohu e na bashkoi, UÇK-ja na e mishëroi shoqërinë sa mos të dinim ku përfundonte njëri e ku fillonte tjetri. Aq vite njohje, sa edhe plakja po zë fillet e rrudhave, më shumë të jetës se sa të moshës!
Gazi yt ishte gjithmonë i freskët, shpirti yt ishte gjithmonë i ri, ëndrra jote ishte gjithmonë e pandryshuar “Për atdhe, për shtet! Pra, për Shqipëri!” Kjo qe kauza jote, ky është mëtimi i shqiptarëve. Kam mësuar shumë nga ti miki im, ndonëse ishe më i ri. Fillimisht të shihja si vëllain e idolit tim ibrahimit, vëllait tënd biologjik. Me kohën më bëre ta shihja atë si vëllain e idolit tim që tashmë kishte lindur bashkë me shpresën e çlirimit të vendit, me Ushtrinë tonë çlirimtare.
Gjithmonë do më vijë keq që nuk e kisha idenë për adresen tënde që të të bashkohesha më herët në veprimin real të terenit. Në ato kohë kur ti po kërkoje sy edhe prej qorrave e duar vepruese edhe prej sakatave, unë mendoja se po bëja gjithë gjënë e duhur për çlirimin e vendit me detyrat që na dilnin si Lëvizje popullore. Detyra të cilave nuk u bishtnova kurrë dhe i bëra me devotshmëri e diciplinë. Një ditë kuptova sikur gjithë shokët e mi veprimtar se Lëvizja tashmë kishte vetëm një rrugë, atë të luftës së armatosur. Asaj përpjekjeje të njoha dhe u gëzova shumë për dalëzotësit e atdheut, bërësit e lirisë.
Me kontributin tim modest u bëra edhe unë pjesë e mishërimit që vetëm çlirimtarët munden e dinë ta bëjnë. Ashtu sikur Mërgimi thonte, se: që në rastin e parë që e kishte njohur Zahirin, ai i ishte betuar vetes së tij se jeta e tij do rreshtohej pas komandantit të tij. Edhe unë Qerim jam ndjerë me shumë fat që ju kam njohur dhe nuk jam lodhur kurrë në rreshtimin tim krah teje, komandantit tim.
Vitet e luftës ikën shpejt. Tri luftëra, një jetë e tërë veprim në shërbim të tyre! Për lirinë u bë shumë. Ajo na mori shumë shokë, na dha shumë dhimbje, por na e dha edhe lirinë e një pjese të konsiderueshme të ish trojeve të pushtuara. Shumë çka ka ndryshuar për mirë komandanti im dhe shumë çka do të përmirësohet rrugës, por atdheu as është akoma krejt i çliruar as është shumë afër për t’u bashkuar! Në këtë rrugë e sipër ti rave. Hijenat u bënë logjistika për goditjen tënde, shërbimet armike mbase kanë menduar se me vrasjen tënde zhvillimet rreth Kosovës dhe viseve mund të mbylleshin më lehtë dhe pa turbulenca, pa rrezikshmëri ndërtimi të veprimit të ri veprues, ku për çlirim ku për bashkim!
Sikur dihet, atdheu dhe fatet e tija as ngriten as bëhen nga një gjeneratë e vetme, dhe as vdesin për mungesë të një gjenerate të vetme. Edhe kësaj radhe atdheu ynë do nxjerr Shpirtmëdhenjë e Dema të rinj e të zotët t’i dalin zot vendit. Gjeneratat e reja po rriten në liri dhe ata do dinë ta çmojnë atë, ata do të dinë të sakrifikojnë (çoftë e nevojshme) edhe jetët e tyre për ta çuar në vend Amanetin e Rilindasve.
Ti Qerim i vuaje gabimet e ish shokëve në pushtet, i urreje zhvatjet e tyre, i urreje për fitoren që korrte tundimi i parasë, i urreje për kapitalin e grabitur dhe shpërfytyrimin mbi ta, për mos rezizstencën e tyre ndaj këtyre të këqiave që po e hanë pak e nga pak shoqërinë tonë duke ia vrarë shpresën rinisë, punëtorit e plakut!
Mospajtimi yt dhe i secilit nga ne me etablimin e UDB-ës në pushtetin e çlirimtarëve të bëri t’i artikuloje fuqishëm e pa ekuivok bindjet tua. Përgjatë të qenit tënd i drejtpërdrejt mbase atyre që u pengoje edhe filluan planin e fundit të tënd, prerjen e rrugës sate, vrasjen tënde. Sherbimet serbe po shihet se nuk falin. Në bindjen time ato të vranë, pa çka se nuk çon peshë kush ishte logjistika e tyre realizuese. Them kështu sepse ti u vrave afër shtëpisë sate në Kosovën e çliruar tash e 21 vite.
Donim të ishe me ne tashmë kur Kosova do filloj ta jetoj përpjekjen për bashkim Shqipërsië sonë. Por jo, ta ndërprenë rrugën e jetës, ta mohuan atë përjetim, deshën të na e vrasin atë ëndërr. Shpresoj shumë Komandanti im se nuk ëlshtë e largët dita e bashkimit, shpresoj shumë Komandanti im se hijenat e UDB-ës tashmë janë në ditët e fundit të mundësive të veta.
Do doja të më vije ashtu heshturazi sikur e kishe zakon nga qoshet e fshehjes të cilën dije ta bëje vërtetë lojë. Nuk e di cila do jetë Peja e Kosova pas kësaj ngjarjeje për mua, por tashmë e di se ti nuk do jesh përditshmëria ime fizike. Do mundohem të jetoj me kujtimet për ty edhe pse do të të kërkoj gjithmonë e parreshtur nëpër rrefimet e secilit që ka pasur rastin e fatin ta ketë çoftë edhe vetëm një çast kontakti a shoqërimi me ty. Do të të kërkoj Komandanti im edhe kur të ketë diell e vapë edhe kur të ketë mot e shtërngatë! Do të të kërkoj edhe kur të bindem se nuk do të të gjej!
Tashmë kujtimi dhe unë kemi mbetur pa ty! Pse shkove Komandant? PSE?

Leave a Reply