Naim M.Nimonaj Kolosi i UÇK-së

Naim M. Nimonaj
Gllogjani i komunës së Deçanit, i quajtur ndryshe edhe Gllogjani j Rekës, ku lindi, u rrit dhe u përjetësua Naim Nimanaj me shumë bashkëluftëtarë të tjerë, i ushqyer me madhështinë e heroizmit e pathyeshmërisë shekullore ndër breza, përballë pushtuesit të egër sllav, sidomos në shekullin e parafundit, vendosmërisht në luftën e fundit kundër Serbisë e mori flamurin e luftës së armatosur dhe u bë qendër e Zonës Operative të Dukagjinit, pa i lënë prapa edhe trevat e heroizmat e tjera kolektive e luftarake në mbar Dukagjinin e Kosovën.

Naim Nimanaj lindi më 6 maj 1979 në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit, në një familje me traditë kombëtare. Ndër ta shquheshin Sadik Nimani me të birin, Jusufin, rrugën e të cilëve e ndoqën pasardhësit e tyre: Naim, Fatmir dhe Luan Nimanaj, tani që të tre dëshmorë të luftës çlirimtare të fundit.

Kollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen e vazhdoi në Rrezar, por nuk e përfundoi, për shkak të inkuadrimit të tij në luftë, bashkë me vëllezërit Fatmirin e Luanin.

Vëllai tjetër i Naimit, Syla, ushtar fronti, dy herë u plagos në ofensivën e fshatrave Baballoq -Gramaçel.

Prindërit, Metë dhe Gjykë Nimanaj lindën dhe rritën dhjetë fëmijë, pesë djem e pesë vajza. Naimi ishte i fëmija i katërt i tyre.

Me kryerjen e shkollimit të mesëm dhe me fillimin e luftës çlirimtare në Kosovë, Naimi e priti me padurim për t’i operacionalizuar dëshirat e tij patriotike të trashëguara nga familja dhe të fituara nga kujtimet e këngët folklorike të dëgjuara e të kënduara nëpër oda burrash, nga mësimet në shkollë e leximet në veprat e ndryshme letrare-artistike.

Nga babai kërkoi leje për të shkuar në luftë, por nuk e mori pëlqimin e prerë, për shkak të moshës së tij të re, përderisa kishte edhe vëllezër më të mëdhenj. Më tej Naimi arsyetohet: “Mua më përket të futem në luftë, sepse jam i pamartuar. Madje, mos llogaritni se mund të jetoj, se kështu e ka lufta. Syla është i martuar, ka fëmijë dhe duhet përkujdesur për ta”.

Më 24 maj 1998 Agimi u inkuadrua në Luftën Çlirimtare të UÇK-së dhe u rekrutua në shtabin e Gllogjanit. Mori pjesë heroikisht në ofensivat e përgjakshme kundër armikut në Shaptej, Baballoq, Prejlep, Rastavicë, Gramaçel dhe në Carrabreg, madje këtu në afërsi rreth dhjetë metrash.

Me detyrën e eprorit, Naimi dy herë shkoi në Malësinë e Veriut për furnizim me armë, sepse ato ditë më shumë kishte vullnetarë sesa armatim. Për shtabin, por edhe për luftëtarët ishin çaste të rënda, kur kishte më shumë kërkesa për rekrutim, sesa kishte arsenal ushtarak. Së pari, nga Malësia e Veriut, armatimi sillej deri në Smolicë e prej andej deri në Gllogjan e rrethinë, por edhe më tej, deri në Drenicë e Rrafshin e Kosovës. Me bartje municioni, sidomos nga Smolica e këndej është marrë edhe Syla, i vëllai i Naimit.

Naimi pati shoqëri të mirë edhe me bashkëluftëtarë të tjerë nga komuna e Gjakovës e më gjerë.

Ofensiva e dytë e Gllogjanit me rrethinë, deri në Shaptej ishte ndër më të vështirat e atyre ditëve, aty ku u përjetësuan Naimi e Artoni të goditur nga predhat e armikut, në një luftë të ashpër triditëshe për jetë ose vdekje, në një sulm nga forcat policore-ushtarake serbe të ardhura nga ana e Shaptejit. Aty u plagos edhe Luan Nimanaj me disa luftëtarë të pozicionit.

Më 11 gusht 1998, në mësymjen dhe sulmin e ashpër të ndërmarrë të Gllogjanit kundër forcave policore-ushtarake serbe, mu në qendrën e këtij fshati, pikërisht te Blinat, Naimi u plagos për vdekje, bashkë me Arton Isë Hasanajn. Ata u përjetësuan në altar të lirisë që po e gëzojmë, duke siguruar lirinë e shtrenjtë për Kosovën dhe duke ia dhuruar historisë së re shqiptare heroizmin e krenarinë e luftës për atdhe.

Rënia heroike e Naimit për atdhe ia shtoi krenarinë familjes, vendlindjes e mbarë kombit, me gjakun që dha për lirinë e shenjtë të Kosovës, duke e bërë vdekjen madhështore në fushë të nderit.

Trupi i Naimit dhe i Artonit pushojnë në varrezat e dëshmorëve të Gllogjanit, bashkë me dëshmorë të tjerë të Dukagjinit. (Z. Gj.)

Shkrimi është marrë nga faqja Dëshmoret e Gllogjanit

Leave a Reply