Derisa të më mbajë fryma-Elvira Zeneli
Elvira Zeneli
Derisa të më mbajë fryma
Unë do të të dua Ty, ende sa nuk jam shuar,
sa zjarri në trup më digjet pa u parë,
për Ty do të shkruaj me vargje të rralla,
si grua që dashuron dhe s’di të ndalë.
Pastaj… vetmia më ka mësuar thellë,
të të dua me ndjenjë, jo më në heshtje,
ndryshe të të mbaj larg çdo përqafimi,
e ndryshe të të ndjej, si mall që më ndez.
Do të të dua në netët kur buza kujton,
shijen e ëndrrës që kurrë s’u shua,
kur malli më prek lëkurën ngadalë,
dhe trupi më flet për Ty pa më pyetur mua.
Do të të dua në frymën që më dridhet,
kur nata më mbulon me zjarr e dëshirë,
në çdo psherëtimë femre që pret,
në çdo ndjesi që lind pa mëshirë.
Edhe nëse koha na ndan pa mëshirë,
edhe nëse fati na mban larg, pa fjalë,
dashuria ime do të mbetet e ndezur,
si flakë gruaje… derisa të më mbajë fryma.

