Takim Rasti -Bahri Fazliu

Nga Kolosi Bahri Fazliu

Takim Rasti

E takova rastësisht
Rastësisht i dhamë dorën njëri-tjetrit
Vetëm diçka nuk pati të rastit
Depërtimi në shpirtin e tjetrit
Dikur Ai ishte bota ishte kulmi
Ideali
Ishte punëtori i maskuar
Ishte jehona e një mali
Vepra e tij ishte e madhe
Në sytë e mi e jashtëzakonshme
Burgu i tij çlironte të lirët
Kohën e tij Ai simbolizonte
Në të ishte e ardhmja
Ishte zëri i historisë
Ishte shija e bukës
Ishte shpresa e lumturisë
Ai na la amanet pushkën
na brumosi me heroizëm
ai i dha zjarr këngës
ai i mori zemrën shtrigës
Ai u bë fryma e popullit
burgu s’e mbajti zërin e tij
ne filluam ta adhuronim burgun
burgu brenda kishte liri
Të gjitha këto i mendova për një sekondë
Kur dora ime toku dorën e tij
U bëra i ngrysur u bëra i zymtë
Në të s’kishte mbetur as hija e Tij
Dhe mllefi im qe i furishëm
Aq sa e furishme ishte e djeshmja e tij
Dhe mllefi im më përpiu
Aq sa dje më kishte përpirë shembulli i tij
Dhe i thashë: ke vrarë vetveten, ke vrarë emrin njeri, je antipodi i së djeshmes për fajin s’ke alibi
Për një çast u hutua
Ndoshta kujtoi kohën e vjetër “s’këputen prangat me vaj e lot hekuri pritet veç me hekur”
E mblodhi vetën se automobili e priste
S’kishte kohë të humbiste me mua në rrugë
E tërë pamja e tij zyrtare
Të kujtonte se kishte punë
Ndoshta i shkonte për vizitë ndonjë shoku
Ndoshta ndonjë aheng e priste aq vonë
Por, një është fare e sigurt: Për të kaluarën nuk kishte kohë
Dhe e zgjati dorën e tij
Toku dorën time qëllimisht
Hije e zezë u kishte rënë duarve
Hije e zezë brenda nesh ish
Dhe tha shpejt fjalët: Unë jam Ai që isha dje Harroi se të përpiqesh të dëshmohesh i djeshëm
Do të thotë se të sotme nuk ke
Dhe u përpoq të ma mbushte mendjen
Për shtetin lirinë në robëri
Për rrethanat e jashtëzakonshme
Për kontributin në demokraci
Kisha dëshirë të gjitha t’i besoja
Të isha edhe unë i qetë si Ai
Por, revolja që shtrëngoja në dorë
Më pëshpëriste demagogji
Më uroi sukses për rrugën time
Priti t’i uroja sukses në rrugën e tij
Thuajse suksesi është i ndashëm
Kur përpjekjet janë antagoni
Dhe i thashë: turp do të korrësh ashtu siç adhurim korrje dje
Dhe i thashë: s’je më vepër një kufomë e gjallë je
U ndamë Ai me veturë unë këmbë
Ai i kishte të gjitha dokumentet
Unë vetëm revolen e rëndë

28 nëntor ’95

Leave a Reply