Një shkrim me vlera nga atdhetari Gjon Bruçi

Një shkrim i gjatë, botuar në dy numra të Gazetës SOT (datë 17 dhe 18 shtator 2020. Lexojeni kush ka durim

PSE EUROPA HEZITON TË NA PRANOJË
NË GJIRIN E SAJ?!

Para disa vitesh, kur dëshirës së përsëritur të shqiptarëve për t’u anëtarësuar në BE, kjo e fundit iu përgjigj me një qëndrim skeptik dhe dyshues, (dyshim e skeptiçizëm që po vijon edhe sot), intelektualët tanë të shumë fushave, hapën një debat të zjarrtë, për identitetin tonë kombëtar. Në qendër të këtij debati, u vendosën dy figurat qëndrore të intelegjencës sonë, Profesor Rexhep Qose, dhe shkrimtari Ismail Kadare, të cilët u përpoqën të argumentonin, sejcili sipas pikëpamjes së tij, identitetin e shqiptarëve, si shkakun e afrimit ose jo të vendit tonë me Komunitetin europian.

Debati i mësipërm tashmë ka kaluar, por çeshtja për të cilën u zhvillua, është sërish në rend të ditës. Tri dekada kërkesa e refuzime për t’iu bashkuar Europës, nuk janë pak, për një popull e një vend, që pretendon se është nga banorët e parë të Kontinentit plak.

Pse kemi ngecur në këtë rrugëtim tre dekadash? Sa e gjatë do të jetë kjo rrugë?

Po përpiqemi të japim disa konsiderata modeste, pa kërkuar debat me figurat e shquara të vendit, çka do të ishte jashtë mundësive tona

1.- Raporti shekullor midis shqiptarëve dhe europianëve

Raporti i marrëdhënieve, midis shqiptarëve dhe europianëve në të gjitha kohërat, është zhvilluar në dy plane: në planin zyrtar, dhe atë qytetar. Ky i fundit, raporti qytetar, për nga cilësia, në të gjitha kohërat ka qenë në shkallën më të lartë. Po marrim tri raste pikante: nga historia e lashtë, mesjeta dhe kohët moderne:
A nuk ishte mbreti ynë Genti, që pranoi të ulej në bisedime me romakët për paqtimin e luftës njëqind vjeçare Iliro – romake, paçka se Roma zyrtare e keqpërdori këtë lëvizje paqësore.
A nuk ishin arbërit, që së bashku me kryetrimin tonë Gjergj Kastriotin, jo vetë mbrojtën Europën nga vërshmi otoman, por u shkuan në ndihmë “europianëve” të Italisë së atëhershme, që rrezikoheshin nga princërit dhe kontët e çakërdisur të Mesjetës?
A nuk ishin shqiptarët, pasardhësit e drejtpërdrejtë të Ilirëve e Arbërve, që ushtarët italianë të viteve dyzet të shekullit të kaluar, ndonëse erdhën me urën e zjarrit në dorë, kur falimentuan, i morën në shtëpi për t’i mbrojtur nga rebeshi nazist i kohës?
Të gjitha këto tregojnë se ilirët, arbërit dhe së fundmi shqiptarët, ishin europianë, ndaj dhe në nivel qytetar, e dinin fort mirë se nuk mund të silleshin keq me “si vëllezërit e tyre” të kontinentit.
Ndryshon puna me institucionet politike e shtetërore të Europës. Ato, as në kohët e lashta, e as në kohët moderne, nuk janë sëkëlldisur nga identiteti i përbashkët me shqiptarët, por janë sjellur me këta të fundit si agresorë dhe pushtues.
Për të qëndruar vetëm në 150 vjetëshin e fundit: Duke filluar nga viti 1878 e gjer më sot, Europa zyrtare, përjashtuar vitin 1999 që u “bashkua” me SHBA-në në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës, në të gjitha rastet e tjera ka vepruar në dëm të trojeve tona. Gjatë gjithë kësaj kohë prej 136 vjetësh, ndërsa shqiptarët i prisnin europianët me bukë, zyrtarët e kontinentit të përbashkët suleshin me gurë e bajoneta. 1878-ta me Kongresin e Berlinit; 1913 që na ndau me dhunë gjysmën e trojeve; 1915-ta me Traktatin e fshehtë të Londrës që e shuante me gomë çeliku hartën e Shqipërisë; 1939-ta, kur pushtuesit nazifashistë të Europës zyrtare, na okupuan si dikur otomanët; për të vijuar me gjysëm shekulli indiferencë totale, ndaj fatit tonë dhe shenjave, që ne u dhamë në 1960-tën, kur përzumë bazën ruse, e cila kërcënonte gjithë Europën. Por kjo e fundit, për të mos prishur aleancat e vjetra, qysh të kohës së carëve, nuk i vuri fare ne refene shenjat tona.
E megjithatë, shqiptarët kurrë nuk i njëhsuan sjelljet e qarqeve zyrtare, me qytetarët e thjeshtë europianë, me të cilët kishin jo vetëm afri gjeografike, por dhe rrënjë të përbashkëta në të githa fushat e “sëndërtimit të jetës”, siç perifrazon profesor Qosja. Mjafton të kujtohet kjo histori dhe të bindemi se identiteti i shqiptarëve është puro europian. Njollat që mund të jenë krijuar në këtë identitet, nuk mund ta errësojnë atë, ashtu siç nuk mund të errësojnë dritën e diellit njollat që ky lëmsh zjarri ka në trup.

2.- Keqkuptimet (moskuptimet) midis shqiptarëve dhe europianëve

Keqkuptimet, ose më saktë moskuptimet, kanë zotëruar më shumë tek europianët për ne shqiptarët dhe jo e kundërta. Po të shikojmë me vëmendje dhe jo për t’i bërë qejfin vetes, ne shqiptarët kemi disa karakteristika e tradita themelore, shumë më të bukura e më të zhvilluara se europianët. Le të trajtojmë disa prej këtyre ashtu shkarazi:
Cili europian i kohës së vjetër apo moderne qoftë, do t’i shtronte udhëtarit të rastësishëm darkë dhe shtrat falas, siç bënte Shqiptari i shekullit të 18-të, kur i jepte udhëtarit anglez, francez apo austriak, copën e bukës së fëmijëve dhe shtratin e vetëm të shtëpisë, pa i marrë asnjë kacidhe, edhe kur i huaji i zgjatte stërlinat?.
Cili europian i mesjetës e vriste kundërshtarin (hasmin), dhe nuk largohej pa e ndritue viktimën e tij, duke i mbyllë sytë e vënë armën pranë trupit, siç bënte shqiptari?
Në cilin vend të Europës, përveçse në Shqipëri, nuk u shit për stërlina apo dollarë asnjë hebre, dorëzimi i të cilëve tek gjermanët do të kishte privilegje, ndërsa e kundërta rrezikonte jetën e familjes?
Nga të rrallët populli shqiptar, i cili nuk ka asnjë rast të luftës civile brenda vendit, dhe asnjë rast sulmi apo gjenocidi kundër fqinjëve. Përkundrazi, edhe pushtuesit që e kanë gjakosur, kur kapitulluan, i mori në shtëpitë e tij e i mbrojti nga rrebeshet e kohës.
Por keqkuptimi më i madh i europianëve ndaj shqiptarëve lidhet me besimin fetar: Shifra 70 % e myslimanizmit, i vë europianët në dyshim për identitetin tonë. Mirëpo europianët, zyrtarë, apo të thjeshtë qofshin, nuk arrijnë të kuptojnë thënien reale të Vaso Pashës se “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Kjo thënie nuk ka qenë e nuk është slogan propogande, por një realitet. Ajo është vertetuar në të gjitha rastet kur rreziku ka kërcënuar kombin dhe vatanin. Nga ana tjetër,le të bëjmë një llogaritje të thjeshtë: Sot, nga 70 përqind myslimanë, një e treta janë bektashinj. Dhe bektashinjtë, siç dihet, janë më europianë se edhe vetë katolikët. Shumica e Rilindasve tanë kanë qenë bektashinj, por veprimtaria e tyre orientohej nga perëndimi. Por në llogarinë e mësipërme duhet të veçojmë dhe ateistët. Dhe në këtë mënyrë myslimanizmi ynë i vërtetë, bie nga mazhoranca. Nga ana tjetër, ne e dimë shumë mirë se, edhe myslimanizmi që mbetet, nuk mund të barazohet me islamizmin e vërtetë.

3.- Identiteti kulturor, bërthama e identitetit të vërtetë.

Profesor Kristo Frashëri, në gjykimin e tij për identitetin, na kumton se “identiteti në thelb është shumatore e gjuhës së përditshme, e trashëgimisë historike, e kulturës popullore, e mentalitetit shoqëror, e së drejtës së pashkruar, e mënyrës së jetesës, e aspiratës politike dhe historike, e besimit fetar etj”. Të gjitha këto “pjesë” të shumatores, që thotë profesor Frashëri, në shumicë janë në kahun Europian. Pavarësisht nga mballomat që janë munduar të vënë në këto “pjesë” shekujt me kahe e zhvillime shpesh herë regresiste, ato në thelb kanë mbetur në tabanin e gjenezes sonë të kahershme europiane.
Në këto vlera, më të dukshmet janë ato kulturore, të cilat janë evidentuar gjithnjë në kahun europian. Le të cekim disa detaje që verejmë në jetën e përditshme, detaje të cilat duken si arkaike, por kanë vlerë kulturore të rëndësishme për çeshtjen që diskutohet. Dihet botërisht se folklori ynë, me shumllojshmërinë e tij, është ndër më të pasurit e më të bukurit, jo vetëm në rajon, por edhe më tej. Marrja e gjerdanit të artë në vitet shtatëdhjetë në Dizhon të Francës, e verteton këtë. Ose, le të marrim kostumet tona popullore, në jug, në veri, në lindje apo në perëndim të trojeve tona; kush dominon në ngjyrat e tyre? E bardha dhe e kuqja. Po forma? Pothuaj të gjitha kanë në bazë flatrat e shqiponjës. E shqiponja rritet në Alpe. Dhe Alpet janë Europiane. Po kënga? Tingulli i saj nuk ka asnjë ngjashmëri me tingujt që vijnë nga Azia, apo Afrika. Dhe kjo ndodh edhe falë gjuhës tonë shqipe, që ka shkronjat dhe vokacionin e kontinentit europian.
Shqiptarët, siç argumentojnë mjaft studiues, jo vetëm janë banorët e parë të Europës, por dhe “aristokratët” e parë të saj. Për të konkretizuar këtë “aristokratët” që shënuam, po japim një detaj: Po marrim kostumin popullor, atë të nuses në krahinën e Mirditës. Një kostum i jashtëzakonshëm për nga bukuria dhe paraqitja, por njëherësh edhe shumë i shtrenjtë nga kostoja. Megjithatë, mirditori, edhe pse ishte më i varfëri qytetar i trojeve shqiptare të shekujt XVII – XX, nuk hezitonte të shiste, gjer dhe “pendën e qeve”, me të cilën mbillte tokën, për të blerë e përgatitur kostumin e nuses që do të merrte për djalin. Si shpjegohet kjo sakrificë për një të varfër, që kishte siç thotë Kolë Jakova “Tre pëllëmbë tokë varur përbri / Tre muaj bukë më e mira shpi/? Shpjegimi i thjeshtë është ky: Mirditori, që në lashtësi quhej fisi i Pirustëve, punonte hekurin dhe ishte shumë vite para Europës në zhvillim. E ai që përpunonte metalin, doemos ishte aristokrat në krahasim me romakun, i cili dinte të përdorte heshtën, por nuk e prodhonte dot përveç bishtit prej druri të saj. Pushtimet e egra të shekujve të mëpasshëm, ia ulën mirditorit (pirustëve, enkelejve, ardianëve, dardanëve, mollosëve e fiseve të tjera ilire) kurrizin ekonomikisht, por nuk ia përkulën e zhdukën dot krenarinë dhe aristokracinë, që e pati fituar më punën e tij paqësore e të zgjuar.
Një detaj tjetër: Kushdo i huaj që ka shkuar në shtëpinë e shqiptarit, ka hasur, jo vetëm në një mikëpritje shëmbullore e tepër bujare, por dhe në një ceremonial pritjeje, që pa frikë, mund ta quajmë të barazvlefshëm me pritjet e europianëve në sallonet mondane. Siç e dimë, në Azi e në Afrikë, ku dominon feja e “qytetërimi” islamik, siç po duan të thonë, pritjet, qerasjet, urimet, përcjelljet etj., bëhen kryesisht duke u përkulur me gjithë trup përpara tjetrit, mysafirit, apo eprorit. Shqiptari, mysliman qoftë epo katolik e ortodoks, përveç faljes në xhami, në asnjë rast tjetër nuk përshëndet e uron duke u përkulur përpara tjetrit, por duke “Njatjetuar” me fjalë e me dorën tek balli, ose në zemër. Në çdo shtëpi shqiptari, kur qerasin mikun me kafe, apo raki, marrin edhe vetë filxhanin e kafes e gotën e rakisë dhe shoqërojnë mikun. Dhe kjo, edhe nëse ata e kanë pirë kafen dhjetë minuta para. Kush europian e bën këtë? Dhe ky, mendojmë se nuk është zakon e veprim “arkaik”, “prapanik” apo “anakronik”, por një sjellje e kulturuar, një sjellje mondane do të thonim, që tregon kulturë dhe edukatë të lartë njerëzore e qytetare.
Dikush mendon se qytetërimi vjen vetëm nga arsimi, nga shkolla. Sigurisht arsimi, shkolla, shkenca janë levat kryesore, që e çojnë zhvillimin dhe kulturën përpara. Por nuk janë të mjaftueshme. Duhet dhe edukata familjare, e cila trashëgohet brez pas brezi. Jeta e shqiptarit në familje e fise të mëdha, ka ndikuar në transmetimin e traditës më të mirë të krijuar në shekuj, pra dhe të kulturës qytetare, gjë që ka kompensuar në një farë mase edhe mungesën e plotë të arsimit, të shkollës e të dijeve shkencore, në periudhën e mesjetës e gjer ne fillim të shekullit të njëzetë.
Kanuni i Lek Dukagjinit, por dhe Kanunet e Kurbinit, të Labërisë, të Malësisë së Madhe etj., për kohën kur u shkruan e u zbatuan, ishin treguesi më i gjallë e më sinjifikativ i identitetit tonë europian. Anglezët e Robin Hudit, apo europianët e Shekullit të 14 e 15, kishin mbret e mbretëri, e megjithatë kacafyteshin me njëri-tjetrin me shtiza e hunj, të nxjerra direkt nga pylli. Ndërsa shqiptarët, edhe në mungesë të plotë të shtetit, kishin rregulla të përcaktuara qartë, me të cilat rregullonin jetën dhe veprimtarinë e përditshme. Këto rregulla që u përfshinë në Kanunet tona të famshme, studiohen edhe sot nga profesionistët, gjer në Japoni, jo thjeshtë për kureshtje historike, por sepse shumë prej nomeve të tyre, mund të ndihmojnë në formulimin e korpusit të ligjeve moderne të shoqërisë së sotme.

4.- “T’i japim Çezarit atë që i takon Çezarit“!

Kur flitet për identitetin dhe dinjitetin e shqiptarit të Shqipërisë “londineze“, një pjesë e intelektualëve tanë, periudhën gjysëm shekullore të socializmit, e quajnë një periudhë, e cila paska dëmtuar, jo vetëm dinjitetin, por edhe identitetin e shqiptarit. Tek periudha e Socializmit, që padrejtësisht e quajnë “komunizëm“, pseudointelektualët tanë “depozitojnë“ të gjitha minuset që na pengojnë hyrjen në BE. Po, si qëndron e vërteta?
Historia është e shkruar. Dhe kjo histori ka një të vërtetë të pamohueshme: Asnjë sistem shoqëror i gjertashëm në Shqipëri dhe, asnjë periudhë historike e dymijë viteve të fundit të egzistencës sonë si komb, nuk ka dhënë kontribut më të madh se 45 vitet e periudhës socialiste të Enver Hoxhës, në europianizimin e popullit shqiptar. Të gjitha fushat e jetës dhe veprimtarisë shoqërore kanë patur në bosht, shikimin nga perëndimi. Ky shikim nuk ka qenë për nostalgji, por i diktuar nga aspirata e shqiptarëve. Sistemi socialist dhe lideri i këtij sistemi E. Hoxha, vërtet e ka ushqyer popullin me një urrejtje të pakufishme kundër kancelarive europiane, sepse siç e ka dëshmuar historia, këto kancelari kanë qenë gjithnjë të tipit “Bismark” në relacion me popullin shqiptar dhe Shqipërinë. Por nga ana tjetër, në asnjë rast nuk ka ushqyer urrejtje tek të vetët për qytetarët europianë. “Enver Hoxha, – thotë Piter Prifti, – mund të pikturohej fare mirë, duke mbajtur në njërën dorë shpatën e diktaturës së proletariatit, dhe në tjetrën “llambën e arsimit“ Perëndimor“! (Jon Halliday, “Shqiptari dinak“, faqe 20).
Enver Hoxha, megjithëse rrethanat e detyruan të mbështetej politikisht, ekonomikisht e disa kohë edhe ushtarakisht nga lindja, ai mendjen e kishte nga perëndimi. Paçka se perëndimi asnjëherë nuk e hapi dritën jeshile për Shqipërinë. Dritën jeshile Europa zyrtare e hapi për Shqipërinë, vetëm mbasi ne “reformuam” çdo gjë të vendit tonë gjer në shkatërrim. E këtë, lideri i Socializmit shqiptar nuk e pranonte. Dhe ne besojmë se bëri mirë.
Profesor Frashëri, duke debatuar me mohuesit e vlerave të Socializmit, për “europianizimin” e shqiptarëve, perifrazon me të drejtë shprehjen e njohur “Jepini Çezarit atë që është e Çezarit”.

5.- Varfëria ekonomike dhe mungesa e shtetit ligjor, dy pengesat për në BE

BE-ja mund të mos na pranojë në gjirin e saj thjeshtë për dy gjëra: Për varfërinë ekonomike dhe për mungesën e një shteti serioz e të konsoliduar. Por kurrsesi për mungesën e qytetërimit katolik, me të cilën qenka gatuar Europa! Këto janë dy arsyet themelore, që e pengojnë vendin tonë të bëhet anëtare e BE-së, e jo besimet e religjionet fetare. Këtu duhet të përqëndrohet dhe puna e intelektualëve tanë dhe e gjithë shoqërisë. Por që kjo punë të ketë sukses, duhet të analizojmë drejt shkaqet e prapambetjes në këto dy tregues. Po mundohemi të argumentojmë shkaqet në mënyrë telegrafike.
Për varfërinë ekonomike: Disa thonë, dhe përsërisin me të madhe, se varfërinë na e la në derë sistemi socialist. Kjo është një e pavërtetë shumë e madhe. Qysh nga pushtimi romak e gjer më sot, shqiptarët kanë qenë më të varfërit e rajonit, ndonëse kishin dhe kanë pasuritë më të mëdha se çdo vend i këtij rajoni. Pushtimi romak dhe pushtimet e mëvonshme sllave e veçanërisht ai otoman, jo vetëm zhdukën çdo gjurmë zhvillimi e civilizimi të dikurshëm të vendit tonë, por morën masa që populli të mbetej plotësisht në errësirë, sa arriti puna që edhe historinë, shqiptarët e shkruan vetëm me këngë, si dikur Odisea historinë e grekëve të lashtë. E njëjta punë ndodhi edhe në kohët moderne. Shqipëria për fatin e saj të keq, e të mirë, u ndodh në parajsën e Mesdheut (Mesi i Dheut, mesi i “sofrës” së të mirave të natyrës), por edhe në “Udhëkryqin” e rrugëve të Botës. Dhe kur shtëpinë e bukur e ke në udhëkryq, të gjithë kalimtarët ta lakmojnë. Kjo ka ndodhur me shqiptarët gjatë dymijë e kusur viteve. Dhe lakmia e “udhëtarëve”, nuk është mjaftuar me këputjen e një kokrre në “pemën tonë të begatë“, por me shkuljen nga rrënjët të saj.
Në datën 29 nëntor 1944, kur fillon koha e socializmit, Shqipëria prodhonte vetëm litar kërpi, dhe objekte të artizanatit. Ndërkohë fqinjët, si p.sh. Jugosllavia prodhonte avionin. Për 45 vjet, a mund të barazoheshim ne me fqinjët? Kurrsesi, edhe sikur fqinjët të binin në gjumin dimëror të Ariut.
Socializmi 45 vjeçar shqiptar, mund të kritikohet për mënyrën e shpërndarjes së pasurisë, por kurrsesi për varfërim të vendit. Viti 1990, që shënon fundin e atij sistemi, e gjeti Shqipërinë më një pasuri kapitale shumë të fuqishme, por nga që ishte “made-in socialiste”, demokratikasit tanë, së bashku me fqinjët që, “na donin e na duan” shumë, e shkatërruan dhe e grabitën pa mëshirë, duke e katandisur në një vend, ku dhe gjërat më elementare duhet t’i blejë nga kopshti i komshiut.
Akoma më keq ndodhi e po ndodh me shtetin. Dihet historikisht se shqiptari ka patur alergji për shtetin. Kjo ka ndodhur sepse në shumicën e kohës shteti ka qenë i huaj për të, ka qenë shtet i pushtuesit. Në shtetin e krijuar nga Zogu, shqiptarët morën elementët e parë të shtetformimit. Në 45 vjetët e socializmit shteti shqiptar mori formë të plotë, duke krijuar një administratë sa moderne, aq dhe efikase. Në të dy rastet, por veçanërisht për periudhën e socializmit, thuhet se shteti u ngrit e u mbajt me dhunë! Po, kush mund të thotë se ku është ngritur gjer tani një shtet, që të mbahet pa violencë, pa dhunë? Asnjeri nuk mund ta thotë, sepse kjo nuk ka ndodhur gjer tani në asnjë vend të globit.
Në fillimet të viteve nëntëdhjetë, idhtarët e “demokracisë“ hodhën parullën “Shtet i dobët, individ i fortë”. Kjo gjoja për mbrojtjen e të drejtave të individit nga dhuna e shtetit. Sikur të gjithë individët të bëheshin të fortë, kjo do të ishte mrekulli. Por ndodhi që vetëm disa “kokrra” u bënë të fortë, dhe këto kokrra i kërcyen në qafë shtetit, e përmbysën në tokë, duke na lënë fare pa shtet. Tri dekada me vite, dhe shteti i shqiptarëve është jo thjeshtë në spital, por në reanimacion. Kur do të dalë prej andej? “Kokrrat” e individëve të fortë nuk e lënë.
Përgjegjësia për këtë është e politikanëve tanë, por nuk janë pa përgjegjësi dhe zyrtarët europianë. Dakort, nuk e shihnin dot me sy shtetin socialist dhe e përmbysën. Po çfarë i dhanë shqiptarit? Kaosin? Përçarjen? Çoroditjen? Të gjitha. Mund të thuhet se “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”. Dakort! Por edhe miku ta jep një dorë për ta nxjerrë. Aq më tepër kur ky “mik” të ka këshilluar, e të ka ndihmuar për ta hedhur gomarin në baltë…
Shteti është administrator e mbroijtës i të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga gjatësia, aftësia e mundësia e tyre. Dhe që marrëdhëniet midis qytetarërve me diferenca në fizik, në mendje, në mundësi etj. të jenë korekte, është e nevojshme që shteti të jetë më i fortë se çdo individ. Shteti fillon e dobësohet, dhe shkon në shuarje, atëherë kur sistemi shoqëror arrin parametrat më të lartë të demokracisë, dhe nuk ka asnjë rrezik që sistemi të kthehet në regres. A i kemi arritur ne parametrat e duhura të demokracisë? Jo ne, po as vetë Europa nuk i ka arritur. Shteti ligjor i europianëve ka në dispozicion të gjitha mjetet e violencës, për të “disiplinuar” kokrrat e individëve të fuqishëm. Këtë duhet të kemi edhe ne.

Në mbyllje:

BE-ja nuk është përfaqësuese e identitetit europian, por një institucion politik e shtetëror, që synon të bashkojë në një organizëm të përbashkët interesat politike dhe ekonomike të shteteve, me afërsi gjeografike e zhvillime kulturore e qytetare të përafërta. Në këtë kuptim, nëse BE-ja nuk e pranon Shqipërinë apo shqiptarët, se frikohet nga “besimi mysliman”, atëherë ky bashkim bën dy gabime themelore: Paragjykon padrejtësisht një popull që, në thelb është më europian se europianët, dhe së dyti, nxjerr në pah ndjenjën e hershme të nënvleftësimit gjer në injorim, të brezit të Bismarkut, për popujt dhe vendet e vegjël.
Vonesa në pranimin e vendit tonë në BE, nuk është përgjegjësi e shqiptarëve dhe identitetit të tyre, por e politikanëve dhe pushtetarëve që mbahen në pushtet me “yzmin“ e vetë BE. Shqiptarët e kanë formësuar identitein europian, qyshse Kontinenti i tyre ka marrë këtë emër, dhe nuk e kanë ndryshuar asnjëherë, pavarësisht nga dallgët, rebeshet dhe kryqëzatat që kanë kaluar mbi ta. Është detyrë e intelektualëve, politikanëve dhe veçanërisht e pushtetarëve, që këtë identitet europian të shqiptarëve, ta zyrtarizojnë në Institucionet e Europës.
————————————————————–

Leave a Reply